Maqedonia e Veriut ka filluar zbatimin e Sistemit Kombëtar me një Sportel të Vetëm, një reformë e rëndësishme për dixhitalizimin e procedurave tregtare. Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski njoftoi se ky sistem do të ofrojë një platformë të vetme elektronike për importin, eksportin dhe tranzitin e mallrave.
Qëllimi kryesor është të racionalizohen proceset e aplikimit dhe lëshimit të lejeve. Kjo do të arrihet përmes shkëmbimit të të dhënave ndërmjet të gjitha institucioneve kombëtare, duke përmirësuar bashkëpunimin dhe aktivitetet e koordinuara.
Komiteti për menaxhimin e këtij sistemi konfirmoi përfundimin e procedurës së tenderimit dhe lidhjen e kontratës me ofertuesin më të favorshëm. Konsorciumi i përzgjedhur ka detyrimin ta bëjë sistemin funksional dhe në përdorim deri në fund të vitit 2027.
Sistemi i ri do të zëvendësojë plotësisht atë ekzistues. Të gjitha lejet për import, eksport dhe tranzit, si dhe pagesat, do të kryhen në mënyrë elektronike përmes këtij sporteli të vetëm. Ky softuer do të ofrojë shërbime nga 15 institucione, duke garantuar procedura më efikase për tregtinë e jashtme.
Maqedonia e Veriut është pjesë e një projekti rajonal për lehtësimin e transportit dhe tregtisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ky sistem përbën një komponent thelbësor.