Maqedonia e Veriut ka gjeneruar 755.7 mijë tonë mbeturina komunale në vitin 2024, me një mesatare prej 417 kilogramësh për banor. Rajoni i Shkupit mban pjesën më të madhe të këtyre mbeturinave, të cilat kryesisht vijnë nga amvisëritë.

Përqindja e mbeturinave të ricikluara mbetet shumë e ulët. Vetëm një pjesë minimale seleksionohet, kryesisht mbeturina organike, plastika dhe letra. Kjo situatë kontribuon në mbushjen e shpejtë të deponive dhe ndikon negativisht në mjedis, përfshirë ndotjen e tokës, ujit, ajrit dhe rritjen e gazeve serrë.

Sektori industrial gjithashtu ka gjeneruar rreth 1.2 milionë tonë mbeturina në të njëjtin vit, me pjesën më të madhe që vjen nga industria përpunuese dhe minierat. Edhe pse sasia totale industriale është më e ulët se mesatarja evropiane, përqindja e lartë e mbeturinave të rrezikshme paraqet një shqetësim.

Vendit i mungojnë sisteme efikase për trajtimin dhe ripërdorimin e mbeturinave. Megjithatë, janë duke u zbatuar disa projekte për të përmirësuar menaxhimin. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ofruar një kredi prej 55 milionë eurosh për ndërtimin e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, qendrave të riciklimit dhe mbylljen e deponive të paligjshme. Po ashtu, ka nisur zgjerimi i sistemit të përgjegjësisë së prodhuesve, duke detyruar kompanitë të marrin përsipër më shumë detyrime për menaxhimin e mbeturinave të produkteve të tyre.

Ekzistojnë edhe iniciativa për të nxitur riciklimin, si “Teksomak” për tekstilet, “Pakomak” me makina kthimi për shishe dhe kanaçe, dhe platforma Recycle.mk, e cila ndihmon qytetarët të gjejnë pika ndarjeje. Ekspertët theksojnë se riciklimi i pamjaftueshëm rrit kostot e menaxhimit dhe rreziqet për shëndetin publik.