Albumi i ri, i lëshuar së fundmi, ka në ballinë Madonnën me fytyrën e mbuluar nga një vello vjollcë, simbol i transformimit dhe identiteteve të ndryshme. Në hapje të albumit, shprehet ideja e fshehjes në hije dhe krijimit të personazheve të reja. BBC shkruan se albumi shënon rikthimin e saj në botën e muzikës dance, frymëzuar nga klubet dhe skena e viteve ’80 dhe ’90.
Madonna ka bashkëpunuar sërish me producentin Stuart Price, me të cilin realizoi edhe albumin origjinal. Synimi i tyre ishte që projekti i ri të ishte “po aq i mirë ose më i mirë” se i pari. Edhe pse kritika thekson se nuk e arrin plotësisht nivelin e albumit të parë, ai i afrohet shumë. Pjesa fillestare e albumit vlerësohet si më e forta, me këngë energjike si “I Feel So Free”, “Good For The Soul” dhe “Love Sensation”, të cilat rikthejnë stilin klasik të Madonnës.
Albumi përmban gjithashtu momente më personale dhe autobiografike. Kënga “Danceteria” rikthen kujtimet e Madonnës nga klubet e New Yorkut ku nisi karrierën. “Bring Your Love”, një bashkëpunim me Sabrina Carpenter, trajton fuqizimin e grave dhe refuzimin e gjykimeve në industrinë e muzikës. Madonna kritikoi fokusin në algoritme dhe statistika të suksesit, duke thënë: “Mos u përpiq të më shpërqendrosh me numra”.
Tematika e albumit prek humbjen dhe familjen. Këngët “Fragile” dhe “Betrayal” trajtojnë marrëdhënie të vështira dhe humbje të afërmish, ndërsa “The Test”, në bashkëpunim me vajzën e saj Lourdes, eksploron marrëdhënien nënë-bijë. Albumi mbyllet me “L.E.S”, një reflektim nostalgjik mbi rininë dhe dashurinë e parë në New York.