Në një intervistë për revistën Vogue Italia, mbretëresha e popit deklaroi se algoritmet dhe inteligjenca artificiale i drejtojnë artistët drejt krijimtarisë së sigurt, por pa origjinalitet. Sipas saj, marrja e rrezikut është thelbësore për krijimin e artit, ndërsa AI shkon në drejtim të kundërt.

Madonna foli gjithashtu për ndryshimet në industrinë muzikore. Ajo tha se dikur artistët frymëzoheshin nga bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me krijues të tjerë. Sot, artistët duhet të mendojnë për numrin e ndjekësve në rrjetet sociale për të siguruar një kontratë diskografike.

Megjithatë, këngëtarja ka përdorur vetë inteligjencën artificiale në disa raste. Ekipi i saj shfrytëzoi AI në videot promovuese të projekteve "Veronica Electronica" dhe "The Untold Chapter", si dhe për efekte vizuale gjatë turneut të saj në vitin 2024. Ajo theksoi se ky përdorim ka qenë i kufizuar vetëm në aspektin vizual, pa ndikuar në procesin e krijimit muzikor.

Madonna shtoi se inteligjenca artificiale po krijon ndasi në publik, ku disa e shohin si kërcënim për artin, ndërsa të tjerë e përqafojnë për përfitime ekonomike.