MBPZhR njoftoi se ka vijuar zbatimin e vendimit për lirimin dhe rikthimin në posedim të ligjshëm të pronave të uzurpuara që administrohen nga Instituti Bujqësor i Kosovës (IBK). Lirimi i pronës në Stankaj të Rugovës u realizua në zbatim të Marrëveshjes së Ndërmjetësimit nr. ND.nr.430/25, të datës 19 dhjetor 2025.
Kjo marrëveshje është miratuar me aktvendim të Gjykatës Themelore në Pejë. Ministri Armend Muja deklaroi se çdo pronë e uzurpuar ose e shfrytëzuar pa bazë ligjore do t'i rikthehet posedimit të ligjshëm të Ministrisë, sipas legjislacionit në fuqi dhe përmes procedurave ligjore. MBPZhR theksoi se do të vazhdojë procesin e identifikimit, lirimit dhe mbrojtjes së pronave që administrohen prej saj. Ministria u bëri thirrje të gjithë shfrytëzuesve të paautorizuar të pronave të IBK-së të respektojnë ligjin dhe vendimet institucionale, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë publike.