Protestuesit, të arrestuar pas tensioneve në protestën e zhvilluar ditën e enjte, kanë filluar të dalin nga blloku i sigurisë në rrugën “Mine Peza”. Vendimi i Gjykatës së Tiranës erdhi pas një seance që zgjati mbi pesë orë.
Gjykata caktoi masën e arrestit në shtëpi për Everest Bardhin dhe Ervin Gegën. Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për ta, duke argumentuar kryerjen e akteve të dhunës dhe shkatërrimin e makinës së policisë.
Ndërkohë, Altin Hila, i njohur si “babai simbol i protestës”, u la i lirë. Për të, prokuroria fillimisht kërkoi burg, e më pas arrest shtëpie. Dymbëdhjetë protestues të tjerë u lanë nën masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa pesë të fundit u liruan pa asnjë masë sigurie.
Seanca gjyqësore u pezullua përkohësisht pasi protestuesi Niko Carklaj, i cili vuan nga epilepsia, shfaqi shqetësime shëndetësore gjatë zhvillimit të saj.