Gjatë një kontrolli në terren, KRU "Gjakova" konstatoi se konsumatori kishte kryer ndërhyrje të paautorizuara. Këto përfshinin një lidhje ilegale para ujëmatësit për vetë-furnizim, duke anashkaluar matjen e konsumit. Gjithashtu, u zbuluan ndërhyrje të paautorizuara në instalimin e ujëmatësit dhe dalje të paautorizuara me ventil para tij.
Kompania ndërmori masa ligjore ndaj shkelësit. KRU "Gjakova" theksoi se çdo rast i lidhjeve ilegale do të trajtohet me ndërprerje të menjëhershme të shërbimit dhe procedura ligjore. Kontrollet për identifikimin dhe parandalimin e lidhjeve ilegale dhe keqpërdorimit të ujit të pijshëm po kryhen në rajonet e Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit.
Qytetarët ftohen të raportojnë çdo dyshim për lidhje ilegale përmes kanaleve zyrtare të KRU "Gjakova". Uji konsiderohet pasuri e përbashkët dhe kompania thekson rëndësinë e respektimit të rregullave të kyçjes për mbrojtjen e këtij burimi jetik.