Vendimi i Gjykatës së Apelit, që publikohet në orën 13:30, vjen në një kohë kur Le Pen kryeson sondazhet rreth 10 muaj para zgjedhjeve presidenciale. Ajo ka garuar tri herë për presidencën franceze dhe ka përfunduar e dyta ndaj Emmanuel Macron në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2022.
Çështja lidhet me akuzat se Le Pen dhe anëtarë të partisë së saj kanë përdorur rreth 1.4 milionë euro nga fondet e Parlamentit Evropian në mënyrë të paligjshme. Këto fonde dyshohet se u përdorën për të paguar punonjës partie, të cilët u prezantuan si asistentë parlamentarë gjatë viteve 2004-2016.
Në mars 2025, një gjykatë shpalli Le Pen fajtore dhe i vendosi një ndalim pesëvjeçar për ushtrimin e funksioneve publike. Kjo masë do ta përjashtonte atë nga gara presidenciale e vitit 2027. Ajo u dënua gjithashtu me katër vite burg, dy prej të cilave me kusht dhe dy me mbikëqyrje elektronike.
Gjatë procesit të apelit, Le Pen ka mohuar se ka organizuar një skemë mashtrimi, duke pranuar vetëm një “gabim” lidhur me punën e disa ndihmësve parlamentarë. Prokuroria ka kërkuar që ndalimi për të mbajtur poste publike të mbetet në fuqi, ndërsa ka propozuar një rishikim të dënimit me burg.
Nëse vendimi nuk e lejon Le Pen të kandidojë, kandidati i mundshëm i partisë së saj do të jetë Jordan Bardella.