LBK thekson se fabrika "Vita" posedon të gjitha certifikatat e nevojshme dhe plotëson standardet. Çdo veprim ndaj një prodhuesi të tillë rrit shqetësime serioze dhe cenon besimin e investitorëve në Kosovë.
Kjo situatë, sipas LBK-së, përbën alarm për të gjithë sektorin privat. Mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë nuk prek vetëm kompaninë, por edhe qindra vende pune, fermerë, furnizues të qumështit dhe të gjithë zinxhirin e furnizimit.
Lidhja e Bizneseve u bëri thirrje ministrave dhe zyrtarëve institucionalë të shmangin veprimet që dëmtojnë prodhimin vendor dhe cenojnë tregjet e brendshme e të jashtme. Këto veprime favorizojnë rritjen e importit në dëm të prodhimit vendas.
Institucionet duhet të garantojnë sundimin e ligjit pa selektivitet, presion apo vendime që dëmtojnë ekonominë dhe prodhuesit vendorë. LBK do të vazhdojë të mbështesë prodhimin vendor, ruajtjen e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik, duke kërkuar ndaljen e politikave dëmtuese.