Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar lidhur me kontrollet e fundit të sigurisë ushqimore, duke theksuar nevojën për veprime institucionale profesionale, proporcionale dhe të mbështetura në fakte shkencore. LBK mbështet ushtrimin e kompetencave ligjore nga institucionet përgjegjëse, por kërkon respektimin e standardeve profesionale gjatë inspektimeve.

Sipas LBK-së, analizat laboratorike të prillit dhe majit konfirmojnë se produktet e qumështores Vita janë në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore. Ndërkohë, analizat e mostrave të marra më 2 korrik janë ende në proces. Organizata thekson se deri në përfundimin e këtij procesi, çdo vlerësim publik duhet të mbështetet ekskluzivisht në rezultate zyrtare, duke shmangur konkluzionet e parakohshme.

LBK shpreh shqetësim për mënyrën e organizimit të inspektimit në objektet e kompanisë, duke vlerësuar se ajo ka krijuar perceptimin e një situate emergjente pa konfirmim përfundimtar. Organizata paralajmëron se veprime të tilla, edhe pse me qëllim të ushtrimit të kompetencave ligjore, duhet të jenë të balancuara. Këto veprime mund të ndikojnë negativisht në reputacionin e bizneseve, besimin e konsumatorëve dhe klimën e përgjithshme të investimeve. LBK rithekson mbështetjen për prodhuesit vendorë dhe kërkon vazhdimin e kontrolleve institucionale në mënyrë profesionale dhe të paanshme, duke garantuar shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve si prioritet absolut.