Ministri Lamallari, duke folur nga Elbasani, komentoi përplasjet gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Ai u shpreh se forcat e rendit kanë vepruar me profesionalizëm, duke bërë dallimin mes qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese të protestës dhe një grupi individësh që shkelin ligjin.

Lamallari theksoi se dhuna në bulevard nisi me sulme ndaj punonjësve të policisë. Ai shtoi se sulmet nuk duhet të drejtohen as kundër gazetarëve, ndërsa përmendi një kërkesë nga unioni i gazetarëve për mbrojtjen e tyre. Sipas ministrit, personat që dëmtojnë pronën publike dhe përdorin dhunë nuk janë protestues, por vandalë. Përgjigjja e policisë ndaj tyre do të jetë proporcionale me shkeljen e ligjit.