Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas deklaratave të avokatit Gentian Serjani për dhunë të pretenduar ndaj klientit të tij, Niko Qarkaj. Lamallari theksoi se Policia e Shtetit i ka informuar se këto pretendime janë “totalisht të pabaza dhe të pavërteta”.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për rastin dhe po administron të gjithë informacionin e nevojshëm. Gjithashtu, Avokati i Popullit, pas një vizite të pavarur tek të ndaluarit, nuk ka konstatuar shkelje të kësaj natyre.

Ministri Lamallari paralajmëroi se, nëse edhe AMP arrin në të njëjtin përfundim, Policia e Shtetit do të referojë çështjen në Prokurori ndaj deklaruesit. Po ashtu, do të kërkohet shqyrtimi i rastit në Dhomën Kombëtare të Avokatisë për përgjegjësi etike dhe profesionale të avokatit.