Këto komente Lamallari i bëri pas shpalljes non grata të Igballe Berishës, një masë që sipas tij u mor bazuar në deklarata të saj publike. Ai theksoi se prononcimet e Berishës, të cilat i cilësoi si propagandë në mbështetje të Khameneizmit, bien ndesh me ligjin shqiptar.
Ministri rikujtoi se Kuvendi i Shqipërisë e ka shpallur Iranin si shtet sponsor të terrorizmit. Si pasojë, çdo promovim apo nxitje e një organizate terroriste ka pasoja ligjore.
Lamallari paralajmëroi se Drejtoria Antiterror po monitoron personat që marrin pjesë në protesta, sidomos ata që cilësohen si kontingjentë për veprimtari të caktuara. Ai theksoi se institucionet ligjzbatuese dhe shërbimet kanë informacione të vazhdueshme për elemente që meritojnë vëmendje të posaçme nga autoritetet shqiptare.
Vendime të tilla, sipas ministrit, shkojnë paralelisht me punën për neutralizimin e individëve dhe agjendave që dëmtojnë rrugën evropiane dhe interesin kombëtar të Shqipërisë.