Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) deklaron se Laboratori i Toksikologjisë është funksional që nga 20 tetori 2025, i pajisur me aparaturë moderne dhe me orar të plotë. Sipas SHSKUK-së, në këtë laborator janë të punësuar katër specialistë të toksikologjisë dhe punohen 22 parametra.

Megjithatë, ky laborator ishte i mbyllur gjatë dy vizitave të fundit. Burimet konfirmojnë se shërbimi nuk ofrohet rregullisht, por hapet vetëm në raste të caktuara. Nga katër specialistët e punësuar, njëri është farmacist, ndërsa tre toksikologët e tjerë paguhen si specialistë, por shërbimi nuk ofrohet plotësisht. Njëra prej toksikologeve mban pozitë edhe në barnatoren qendrore të SHSKUK-së.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana, deklaroi se dy toksikologë të angazhuar atje janë në pritje të transferimit në QKUK për nevojat e këtij shërbimi. Aktualisht, ata ushtrojnë profesionin e farmacistit.

Oda e Farmacistëve të Kosovës konfirmoi se në sektorin publik janë të punësuar tre specialistë toksikologjie në SHSKUK, dy në Institutin e Mjekësisë Ligjore, një në Spitalin e Ferizajt dhe dy në Spitalin e Gjilanit. Sipas Odës, vetëm një pjesë e specialistëve të toksikologjisë ushtrojnë profesionin në përputhje të plotë me specializimin, ndërsa të tjerët janë të sistemuar si farmacistë. Spitalet e Mitrovicës dhe Gjakovës nuk kanë toksikologë të punësuar.