Seanca e 112-të e Kuvendit ka në rend dite shkarkimin e anëtarëve aktualë të Qeverisë dhe zëvendësministrave, si dhe emërimin e figurave të reja. Propozimet janë depozituar tashmë në Kuvend.

Ndër ndryshimet e propozuara, Igor Filkov pritet të shkarkohet nga Ministria e Drejtësisë, vendin e të cilit do ta zërë Jeton Shasivari. Agon Ferati do të zëvendësojë Ivan Stoilkoviqin në Ministrinë e Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, ndërsa Stoilkoviq propozohet për Ministër të Vetëqeverisjes Lokale, duke zëvendësuar Zllatko Perinskin.

Për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave propozohet Borçe Serafimovski, në vend të Cvetan Tripunovskit. Ministria e Shëndetësisë do të drejtohet nga Sasho Klekovski, i cili zëvendëson Azir Aliun. Gjoko Velkovski, aktualisht zëvendësministër, propozohet për Ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në vend të Fatmir Limanit.

Edhe Sedat Sulejmani, zëvendësministër aktual, propozohet si Ministër i Kulturës dhe Turizmit, duke zëvendësuar Zoran Ljutkovin. Erxhan Demir është propozuar si Ministër pa Portofol, në vend të Shaban Saliut.