Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve u bë të mërkurën, një muaj e një ditë pas votimeve. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, konfirmoi se ndryshime janë bërë në listën e Aleancës për Ardian Gjinin dhe Daut Haradinajn, të cilët janë zëvendësuar me Bekë Berishën dhe Burim Ramadanin, pas heqjes dorë nga mandatet.

Detyrimi për konstituimin brenda 30 ditësh buron nga neni 66 i Kushtetutës dhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2025. Ky aktgjykim sqaron se termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton përmbylljen e saj. Kjo përfshin verifikimin e mandateve të deputetëve, dhënien e betimit dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Pa përfundimin e suksesshëm të këtyre veprimeve, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar juridikisht.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afateve. Para seancës konstituive, Haxhiu, në cilësinë e kryetares së legjislaturës paraprake, duhet të thërrasë një mbledhje përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që fituan ulëse.

Në seancën konstituive, deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi (KDTP), do të drejtojë punimet deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pika e parë e rendit të ditës është formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, pas së cilës deputetët betohen. Partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, i takon e drejta për propozimin e kryetarit të Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

Pas zgjedhjes së kryetarit, zgjidhen pesë nënkryetarë: një nga LVV, PDK, LDK, Lista Serbe dhe komunitetet e tjera joshumicë. Kuvendi konsiderohet i konstituuar plotësisht pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve. Më pas, hapet rruga për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas rezultateve zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 53 mandate, Partia Demokratike 22, Lidhja Demokratike 18, Aleanca 7, dhe 20 ulëse i takojnë komuniteteve pakicë. Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota, që kërkon mbështetje edhe nga PDK-ja ose LDK-ja.