Kryetari i Këshillit Komunal, Jusuf Abduli, konfirmoi gatishmërinë për të diskutuar kërkesën, pas refuzimit të mëparshëm për një seancë të jashtëzakonshme.

Grupi i këshilltarëve të BDI-së në Tetovë kërkoi që propozimi për emërtimin e 67 rrugëve dhe sheshit të Tetovës të jetë pika e parë e rendit të ditës. Kërkesa vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe shesheve të vendosur në vitin 2007.

Berat Murati, këshilltar i BDI-së, theksoi se propozimi i tyre është hartuar duke respektuar realitetin historik, komunitetet etnike dhe trashëgiminë kulturore të qytetit. BDI shprehu shpresën për bashkëpunim dhe miratim të përbashkët të propozimit, duke e konsideruar këtë çështje si një element thelbësor për dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve të Tetovës.

Ndërkohë, BDI ka paralajmëruar protesta të reja në Tetovë për ditën e shtunë.