Albin Kurti vlerësoi ndikimin e Deklaratës së Pavarësisë së 4 korrikut 1776, e cila shënoi lindjen e SHBA-së dhe vendosi parimet universale të barazisë, lirisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut. Këto vlera, sipas tij, frymëzuan edhe historinë e shqiptarëve.

Kurti kujtoi takimin e Fan Nolit me presidentin amerikan Woodrow Wilson më 4 korrik 1918. Ai shtoi se mbështetja e Wilsonit dhe “14 pikat e tij” ndihmuan në ruajtjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore.

Kryeministri nënvizoi edhe rolin vendimtar të SHBA-së në mbështetjen e të drejtës së Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi. Ai përmendi deklaratën e ish-presidentit George W. Bush në Tiranë, më 10 qershor 2007, ku tha “Kosova është e pavarur”. Kjo, sipas Kurtit, ishte një nga momentet më të rëndësishme në shtetformimin e Kosovës.

Brenda afro një shekulli, shqiptarët morën dy herë mbështetje vendimtare nga Shtetet e Bashkuara: fillimisht për mbrojtjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe më pas për pavarësinë e Kosovës. Në fund të mesazhit, Kurti uroi kombin amerikan, duke theksuar se garantimi i të drejtave të patjetërsueshme për të gjithë mbetet një detyrë qytetëruese.