Kryeministri Kurti përkujtoi se më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i 13 kolonive të Britanisë së Madhe nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë në Filadelfia, duke themeluar kështu një shtet të ri.

Në postimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, veçanërisht frazën se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndër këto të drejta janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.” Ai shtoi se “Fryma e ’76-ës” ka mbijetuar fuqishëm, sidomos për popullin shqiptar.

Kurti përmendi takimin e Fan Nolit me Presidentin Woodrow Wilson më 4 korrik 1918, ku Noli kërkoi garantimin e të drejtave të Shqipërisë përmes parimeve të vetëvendosjes. Presidenti Wilson e siguroi se parimet e tij do të zbatoheshin. Shqipëria e quajtur “Londineze” shpëtoi pas Luftës së Parë Botërore falë parimeve të njohura si “14 pikat e Wilsonit”.

Ai gjithashtu theksoi se lëvizja për pavarësinë e Kosovës u mbështet nga SHBA-ja. Më 10 qershor 2007, Presidenti George W. Bush deklaroi në Tiranë se Kosova duhet të jetë e pavarur. Sipas Kurtit, betejat shqiptare për vetëvendosje, nga Shqipëria e Londrës te Kosova e pavarur, kanë marrë dy herë mbështetje kritike nga kombi amerikan.

Kurti shpjegoi se teksti i Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, i shkruar kryesisht nga Thomas Jefferson, vulosi vullnetin e shprehur nga delegatët e Parlamentit Shtetëror dy ditë më parë. Koncepti i të drejtave të patjetërsueshme mbetet radikal edhe sot, ndërsa garantimi i tyre për të gjithë njerëzit pa dallim mbetet një detyrë qytetëruese.