Kurti e cilësoi Deklaratën Amerikane të Pavarësisë si një dokument me vlera universale. Sipas tij, ky dokument vijon të frymëzojë popujt në mbarë botën. Ai kujtoi se më 4 korrik 1776 u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, akt që shënoi lindjen e SHBA-së dhe vendosi parimet e lirisë, barazisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.

Kryeministri theksoi rëndësinë e veçantë të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, e cila shkon përtej datës dhe vendit të miratimit. Ai citoi shprehjen se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndër këto të drejta janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”.

Kurti shpjegoi se “Fryma e ’76-ës” ka mbijetuar dhe jeton fuqishëm në zemrat e patriotëve, veçanërisht për popullin shqiptar. Ai përmendi takimin e Fan Nolit me Presidentin Woodrow Wilson më 4 korrik 1918, ku Noli i kërkoi zbatimin e parimeve të vetëvendosjes për Shqipërinë. Wilson e siguroi se SHBA-ja do të luftonte për ato parime.

Gjithashtu, Kurti shtoi se Kosova e pavarur mori mbështetjen më domethënëse nga SHBA-ja, duke kujtuar deklaratën e George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007: “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur.” Ai përmbylli urimin duke i dëshiruar të ardhme të ndritshme kombit amerikan.