Kryeministri Albin Kurti ishte pjesë e edicionit të 28-të të Simpoziumit SYMI në Greqi, me temën “Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit”. Kurti foli në panelin "Demokracitë e vijës së frontit – Ballkani, Ukraina dhe më shumë: Çfarë duhet të mësojnë demokracitë e vjetra të kënaqura nga shoqëritë që ende luftojnë, çdo ditë, për hapësirën demokratike evropiane", duke adresuar sfidat me të cilat përballen demokracitë në rajon.

Kurti theksoi se demokracitë duhet të fuqizohen përballë autokracive dhe sfidave globale. Ai shpjegoi se Evropa fillon në çdo shtet dhe shtrihet deri në vijat e frontit në Ukrainë. Kryeministri shtoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian e shndërron periferinë në një pjesë të projektit të përbashkët demokratik, jo në një hapësirë për shfrytëzim.

Sipas Kurtit, bota nuk po përballet me një konflikt qytetërimesh, por me një përballje të brendshme mes ndërgjegjes dhe reaksionit. Ai tha se autokratët i përkasin një kohe të shkuar dhe tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike. Aktiviteti në Greqi mbledh diplomatë, zyrtarë, akademikë dhe studiues për të diskutuar çështje globale si paqja, siguria, sfidat ndaj demokracisë dhe ndikimi i inteligjencës artificiale.