Gjatë dhjetë viteve të fundit, Ministria e Kulturës është renditur si një nga dikasteret me ndryshueshmërinë më të madhe në emërime. Me largimin e ministrit Zoran Lutkov, Sedat Sulejmani do të jetë ministri i tetë në këtë periudhë, duke e bërë atë të tretin shqiptar që emërohet në këtë pozicion që nga viti 2016.

Kjo shpeshtësi e ndërrimit të drejtuesve ka sjellë ndryshime të vazhdueshme në vizione, prioritete, reforma dhe plane strategjike për zhvillimin e kulturës. Megjithatë, gjendja në shumicën e institucioneve kombëtare të kulturës ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Projektet kapitale shpesh kanë mbetur të parealizuara, ndërsa institucionet ballafaqohen me kapacitete të amortizuara, infrastrukturë të papërshtatshme dhe mungesë të theksuar të kuadrove profesioniste, sidomos në fushën e trashëgimisë.

Kritikat kryesore drejtuar ministrave të Kulturës kanë përfshirë ndarjen e padrejtë të fondeve, politizimin e kulturës, mungesën e transparencës, menaxhimin jo efikas të fondeve dhe problemet strukturore në institucionet kulturore.

Periudha pas mandatit të Elizabeta Kançeska-Milevska (2008-2017), ministrja më jetëgjatë, ka shënuar një numër rekord emërimesh dhe shkarkimesh. Robert Allagjazovski drejtoi ministrinë për një vit (2017-2018), ku u hartuan strategji të reja që në pjesën më të madhe mbetën në letër. Asaf Ademi (2018-2019) dhe Hysni Ismaili (2019-2020) mbajtën postin për gati dy vjet, pa ndryshuar ecurinë e dy projekteve kapitale për kulturën shqiptare. Irena Stefoska shërbeu për 16 muaj (2020-2022), e pasuar nga Bisera Kostadinovska-Stojçevska (2022-2024). Zoran Lutkov, ministri i fundit, u përball me kritika nga sindikatat dhe u akuzua për anashkalim të institucioneve shqiptare të kulturës gjatë mandateve të tij.