Operacioni policor "Zabeli", i zhvilluar në njësinë administrative Kalis, çoi në zbulimin e 215 bimëve të dyshuara kanabis sativa. Këto bimë u asgjësuan me djegie në vendin e quajtur "Zabeli i Madh", fshati Gështenjë.
Shtetasit F. R., 63 vjeç, dhe M. R., 29 vjeç, babë e bir, banues në Gështenjë, dyshohen si kultivues dhe shitës të lëndës narkotike. Ata janë shpallur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tyre.
Gjatë kontrollit në banesën e 63-vjeçarit, u gjetën dhe sekuestruan rreth 3 kilogramë kanabis. Për këtë rast, bashkëshortja e 63-vjeçarit, V. R., 52 vjeçe, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Gjithashtu, kryetari i fshatit Gështenjë, S. R., është proceduar penalisht për shpërdorim detyre. Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme hetimore.