Aleksandar Radovanoviq, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në Serbi, ka publikuar fotografi të posterave të ngjitur para një furre buke të drejtuar nga një shqiptar në Krushevc. Posterat përmbanin shkrime në gjuhën serbe si: "Mos e harro Gazimestanin. Mos bli te Shiptarët", ku termi "Shiptarë" përdoret në mënyrë nënçmuese.

Radovanoviq ka dënuar publikisht këtë akt, duke kërkuar përgjegjësi ligjore për nxitje të urrejtjes kombëtare. Ai theksoi se politika e masave reciproke ndaj shqiptarëve në Serbi duhet të ndalet dhe të dënohet.

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, shpërndau postimin e Radovanoviqit. Ajo ftoi studentët që aktualisht protestojnë, të mblidhen para furrës së bukës në Krushevc për të treguar solidaritet dhe kundërshtim ndaj veprimeve etno-nacionaliste.

Këto ngjarje vijnë pas ndalimit të 37 personave, kryesisht nga Serbia, nga Policia e Kosovës më 28 qershor, gjatë kremtimit të Vidovdanit në Gazimestan. Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi 36 prej tyre me gjobë 700 euro për thirrje provokuese dhe nxitje të përçarjes. Shtetasve jo-kosovarë u është ndaluar hyrja në Kosovë për tre vjet.