Bashkia e Krushevacit, në Serbi, dënoi fuqishëm një poster me gjuhë urrejtjeje të vendosur para një furre buke në pronësi shqiptare. Posteri përmbante thirrjen “Mos e harro Gazimestanin. Mos bli te Shiptarët”, duke përdorur një term fyes për shqiptarët. Krushevaci e dënon çdo formë diskriminimi, përhapjeje urrejtjeje dhe nxitjeje përçarjeje mes njerëzve.

Në reagimin e tyre, autoritetet e qytetit theksuan se thirrjet për diskriminim dhe jotolerancë nuk përfaqësojnë qëndrimin e Krushevacit dhe banorëve të tij. Ata e konsideruan veprimin si të një individi ose si përpjekje për të shkaktuar përçarje, duke dëmtuar reputacionin e qytetit si një komunitet që respekton diversitetin.

Krushevaci i bëri thirrje autoriteteve të ndërmarrin të gjitha masat për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motiveve. Aleksandar Radovanoviq, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, kërkoi dënim publik për nxitje të urrejtjes kombëtare. Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ftoi studentët protestues të mblidhen para furrës për solidaritet dhe kundërshtim ndaj veprimeve etno-nacionaliste.