Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” (KRU “Gjakova”) do të iniciojë padi dhe procedurë gjyqësore kundër një fermeri. Fermeri publikoi video dhe fotografi në Facebook duke derdhur qumësht në lumin Bistricë, ujërat e të cilit derdhen në kanalin furnizues të Liqenit të Radoniqit.
Sipas ekspertëve të kompanisë, qumështi përbën ngarkesë të lartë organike për mjedisin ujor. Ai nxit shumimin e baktereve, rrit turbullirën e ujit, konsumon oksigjenin dhe shton kërkesën për klor gjatë dezinfektimit, duke favorizuar formimin e trihalometaneve.
Për shkak të këtij incidenti, KRU “Gjakova” ndërpreu për disa orë mbushjen e Liqenit të Radoniqit me ujë nga kanali furnizues, deri në përfundimin e vlerësimeve. Policia e Kosovës është njoftuar dhe pritet të ndërmarrë veprime ligjore. Padia gjyqësore ndaj fermerit do të iniciohet të hënën.
KRU “Gjakova” u bëri thirrje qytetarëve t'i adresojnë pakënaqësitë përmes rrugëve ligjore dhe institucionale. Ndotja e burimeve ujore cenon interesin publik, pasi Liqeni i Radoniqit furnizon me ujë të pijshëm mbi 200 mijë banorë.