Aksioni i IQMT-së u shtri në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Prizren, Podujevë, Rahovec dhe Suharekë. Qëllimi ishte verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore për këtë veprimtari.
Gjatë ditës së parë të aksionit, u inspektuan gjithsej 16 biznese. Gjashtë subjekteve iu ndalua ushtrimi i veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike. Gjashtë biznese të tjera u gjobitën po ashtu për mungesë dokumentacioni ligjor.
Ky aksion është pjesë e një plani operacional më të gjerë, i cili parashikon inspektimin e mbi 268 bizneseve të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Këto biznese kanë të regjistruar kodin për ndërmjetësime tjera monetare.
IQMT i ka bërë thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që operojnë në këtë fushë të sigurojnë përmbushjen e kërkesave ligjore. Kjo përfshin aplikimin për pëlqimin e kushteve minimale teknike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe pajisjen me licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), sipas legjislacionit në fuqi.