Gjykata e shpalli fajtor Bajroviçin për pjesëmarrje në krimet e kryera në maj të vitit 1999, në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe zona të tjera të Komunës së Istogut. Kjo çështje ishte kthyer për rigjykim nga Gjykata Supreme vitin e kaluar.

Sipas aktgjykimit, Bajroviç mori pjesë në një aksion të forcave serbe kundër popullsisë civile shqiptare në zonën e Istogut më 7 dhe 8 maj 1999. Gjatë këtij operacioni, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë drejt Shqipërisë. Gjykata konstatoi se Bajroviç ndau burrat dhe gratë nga kolona e refugjatëve, i plaçkiti dhe, së bashku me forcat serbe, i dërgoi në një shtëpi në Staradran, ku u ekzekutuan të paktën 16 civilë shqiptarë.

Më 7 maj 1999, ai gjithashtu mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë. Pasi u plaçkitën paratë dhe sendet me vlerë, ata u dërguan në një lokal në Gurrakoc, ku u torturuan. Një ditë më pas, më 8 maj, të ndaluarit u transferuan në stacionin policor të Gurrakocit, ndërsa Bajroviç i printe kolonës. Në dënimin prej 12 vitesh do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke nisur nga 19 tetori 2022.