Dokumenti, i titulluar “Project Fish” dhe hartuar në vitin 2022 nga Steele, ish-drejtues i sektorit rus në MI6, u bë publik nga The Telegraph. Ky raport pretendon se Kremlini kishte hapur një profil për Boris Johnson qysh në vitet ’80, kur ishte student në Oksford.

Sipas dosjes, Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës ruse (SVR) e përshkruante Johnson si “ekscentrik, plot humor, sharm dhe inteligjencë”, por “të pabesueshëm” dhe me “shenja paqëndrueshmërie”. Agjentët rusë e konsideronin me potencial, por jo kandidat serioz për bashkëpunim afatgjatë. Johnson reagoi, duke e quajtur të pabesueshme që KGB-ja të përpilonte dosje për studentë të Oksfordit.

Dosja përmend edhe Dominic Cummings, ish-këshilltarin e Johnson, i cili jetoi në Rusi në vitet ’90. Shërbimet ruse dyshonin se Cummings kishte lidhje me MI6, duke e bërë të vështirë afrimin e tij.

Nigel Farage, figurë tjetër, ishte subjekt debatesh brenda inteligjencës ruse. Disa struktura, si GRU, shihnin potencial tek ai, ndërsa të tjerat e konsideronin investim pa shumë vlerë.

Zgjedhja e Jeremy Corbyn në krye të Partisë Laburiste u mirëprit në Moskë, jo për bashkëpunim, por sepse qëndrimet e tij mbi NATO-n dhe Sirinë përputheshin me narrativat e Kremlinit. Dosja nuk pretendon se këta individë kanë bashkëpunuar me inteligjencën ruse. Vetë “Project Fish” pranon se informacioni mbështetet në burime të vetme dhe nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga autoritetet britanike apo ruse.