Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se nëse vendimet e Gjykatës Supreme nuk përmbajnë detyrime për KQZ-në, atëherë institucioni mund të procedojë me certifikimin. Në rast të kundërt, KQZ-ja do të zbatojë fillimisht detyrimet që dalin nga vendimet e Supremes dhe më pas do të kryejë certifikimin.
Njohësi i proceseve zgjedhore, profesori Mazllum Baraliu, vlerëson se kërkesat për rinumërim të plotë të votave të një subjekti politik janë të panevojshme. Ai theksoi se procesi i verifikimit është kryer nga institucionet kompetente, në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të të gjitha subjekteve politike. Sipas Baraliut, zvarritja e procesit vonon pa arsye certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve të reja.
KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor. Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, fitoi 47.13% të votave dhe 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës mori 19.44% dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69% dhe 18 ulëse, ndërsa Aleanca 6.74% dhe shtatë ulëse.
Vendimi i Gjykatës Supreme është hapi i fundit juridik para certifikimit të rezultateve zgjedhore. Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet të zgjedhin presidentin e ri brenda 60 ditëve. Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën për shkak të dështimit të partive parlamentare për të zgjedhur presidentin, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.