Gjykata Supreme i hapi rrugë procesit të certifikimit, duke i konsideruar të pabazuara pesë ankesa të ngritura kundër rezultateve paraprake. Këto ankesa përfshinin pretendime nga parti të komuniteteve joshumicë, si Lista Serbe dhe Nova Demokrastka Stranka, si dhe nga dy kandidatë të Partisë Demokratike për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu.

Ankesat e partive të komuniteteve joshumicë pretendonin vota të marra në zona ku nuk jetonin pjesëtarë të komunitetit përfaqësues. Gjykata Supreme theksoi se struktura etnike nuk mund të jetë kriter për vlerësimin e ligjshmërisë së votimit, duke argumentuar se mbrojtja kushtetuese e komuniteteve nuk ndryshon karakterin individual të së drejtës së votës.

Ndërkaq, ankesat e Haxhiut dhe Kryeziut, të cilët kërkonin rinumërimin e të gjitha votave preferenciale të partisë, u gjykuan po ashtu të pabazuara. Rinumërimi i pjesshëm i votave nuk kishte nxjerrë dallime të mëdha, të cilat u atribuuan kryesisht gabimeve njerëzore dhe rikategorizimit të fletëvotimeve.

Pas certifikimit të rezultateve, Kuvendi ka 30 ditë kohë për të thirrur seancën konstituive, duke shënuar kështu përmbylljen e procesit zgjedhor.