Kryenegociatori i Kosovës për Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se moszbatimi i disa reformave me afat i ka kushtuar Kosovës humbjen potenciale të mbi 40 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së. Zulfaj shpjegoi se problemi kryesor ishte bllokada në Kuvend, e cila pengoi miratimin e ligjeve të nevojshme.
Trembëdhjetë hapa ishin me afat deri më 30 qershor, ndërsa gjashtë prej tyre nuk u përmbushën. Pesë nga këta hapa kërkonin miratimin e ligjeve në Kuvend. Një hap tjetër lidhej me Strategjinë kundër Krimit të Organizuar, e cila nuk mund të miratohet nga një qeveri në detyrë, sipas Zulfajt. Ai theksoi se sikur Kuvendi të funksiononte, shumica e këtyre reformave do të miratoheshin me kohë.
Më 15 korrik, Kosova do të dërgojë një kërkesë zyrtare për lirimin e fondeve, bazuar në 18 hapa që institucionet kosovare konsiderojnë se janë përmbushur. Kërkesa pritet të jetë mbi 100 milionë euro. Komisioni Evropian ka 90 ditë afat për të vlerësuar kërkesën dhe për të vendosur për lirimin e mjeteve. Zulfaj sqaroi se fondet e humbura nuk janë për qeverinë, por për Republikën e Kosovës. Reformat e papërmbushura do të kryhen sapo të krijohen institucionet e reja, por ato nuk do të llogariten brenda afateve të BE-së.
Zulfaj shtoi se Kosova nuk po qëndron në vend në procesin e integrimit evropian dhe se institucionet do të fillojnë përgatitjen e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Evropian. Ai theksoi se integrimi evropian është një proces gjithëpërfshirës.