Jeton Zulfaj, koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (IRRrE), ka theksuar se funksionalizimi i institucioneve është thelbësor për përfitimin e plotë të fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Vendit i janë humbur mbi 40 milionë euro për shkak të vonesave në zbatimin e reformave dhe rrezikon të humbasë edhe 100 milionë të tjera deri në fund të vitit nëse nuk miratohen ligjet e nevojshme.

Më 15 korrik, Kosova do të dorëzojë raportin e parë për zbatimin e Agjendës së Reformave, duke kërkuar lirimin e mbi 100 milionë eurove. Nga 111 hapat e paraparë, vetëm 18 janë përmbushur deri më 30 qershor. Nga 13 hapat që duhej të përfundonin deri në fund të qershorit, vetëm shtatë janë realizuar, ndërsa gjashtë mbeten pezull, kryesisht për shkak të kërkesave për miratim në Kuvend.

Komisioni Evropian ka tre muaj për të verifikuar zbatimin e reformave pas dorëzimit të raportit. Plani i Rritjes kërkon raporte çdo gjashtë muaj. Nëse Kuvendi nuk funksionon dhe nuk miratohen reformat, fondet e destinuara për projekte infrastrukturore, arsimore, gjyqësore dhe digjitalizim, mund të rishpërndahen te shtetet e tjera të rajonit ose të mbeten në buxhetin e BE-së.

Zulfaj u ka bërë thirrje partive politike të mos lejojnë bllokimin e reformave. Me zbatimin e plotë të Agjendës, Kosova do të përfitonte deri në 882.6 milionë euro nga Plani i Rritjes, prej të cilave 253.3 milionë euro janë grante dhe 629.3 milionë euro hua afatgjata.