Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, dhe Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci.
Nora Rraci theksoi se pulla postare është më shumë se një element filatelik. Ajo simbolizon historinë, kujtesën dhe identitetin shtetëror, si dhe miqësinë e qëndrueshme mes Kosovës dhe SHBA-së, të ndërtuar mbi liri dhe demokraci.
Kryeministri Kurti vlerësoi aleancën me SHBA-në. Ai tha se mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për shtetformimin, forcimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës. Pulla e re shënon Pavarësinë e SHBA-së dhe miqësinë e përhershme mes dy shteteve.
Anu Prattipati falënderoi Postën e Kosovës për nderimin. Ajo theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së mbeten të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta demokratike. Gjatë ceremonisë, Kryeministri Kurti i dorëzoi Prattipatit një pullë postare të kornizuar si simbol respekti dhe mirënjohjeje.
Posta e Kosovës synon të promovojë historinë, kulturën dhe miqësitë strategjike përmes këtij emisioni filatelik. Ajo u bëri thirrje koleksionistëve dhe qytetarëve ta përfshijnë këtë botim në koleksionet e tyre. Institucioni përcolli urimet më të mira për 4 Korrikun, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.