Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ngriti këtë çështje në takimin joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, udhëhequr këtë vit nga Kosova. Vendimi i Komunitetit të Energjisë parashikon afatin 1 korrik 2026 për hapjen e kapaciteteve, por Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për këtë zbatim.

Rizvanolli kritikoi operatorin serb të transmisionit për refuzimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me operatorin kosovar KOSTT. Ajo theksoi se ky mosbashkëpunim pengon shfrytëzimin komercial të interkoneksionit, duke krijuar ngarkesa në rrjetin rajonal të energjisë. Kjo situatë mbingarkon kapacitetet e transmetimit në Kosovë dhe vendet fqinje, duke vënë barrë të panevojshme mbi konsumatorët e rajonit, veçanërisht ata të Kosovës.

Përfaqësuesja e BE-së, Yolanda Garcia Mezquita, theksoi se siguria energjetike evropiane kërkon një treg të integruar dhe të ndërlidhur. Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, shtoi se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa interkoneksione të drejtpërdrejta me shtetet anëtare të BE-së.