Kërkesa u bë gjatë takimit joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ku Kosova kryeson këtë vit. Rizvanolli theksoi se Kosova nuk do të qëndrojë pasive ndaj moszbatimit të vendimit të Komunitetit të Energjisë.
Vendimi i Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë kishte caktuar 1 korrikun 2026 si afat për hapjen e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën. Serbia jo vetëm që nuk e arriti këtë afat, por as nuk ndërmori hapa përgatitorë për zbatimin e detyrimit. Operatori i transmisionit të Serbisë refuzon bisedimet direkte me operatorin kosovar KOSTT, gjë thelbësore për bashkëpunimin rajonal të qëndrueshëm.
Pengimi i shfrytëzimit komercial të interkoneksionit me Kosovën mbingarkon kapacitetet e transmetimit në Kosovë dhe vendet fqinje, duke krijuar barrë për konsumatorët rajonalë, veçanërisht ata të Kosovës. Pasojat e kësaj situate janë ndjerë rëndë vitet e fundit.
Integrimi i vendeve të Komunitetit të Energjisë në tregun e brendshëm energjetik të BE-së mbetet prioritet strategjik. Yolanda Garcia Mezquita, shefe e Njësisë për Bashkimin Evropian, theksoi se siguria energjetike e Evropës varet nga një hapësirë më e gjerë energjetike e integruar dhe e bazuar në rregulla të përbashkëta.
Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, vuri në dukje se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Komunitetin e Energjisë që nuk ka interkoneksione të drejtpërdrejta me shtetet anëtare të BE-së.