Këto rekomandime dolën nga një debat i përbashkët mbi gjendjen dhe perspektivën e gazit si burim energjie. Pjesëmarrësit vlerësuan se Kosova duhet të diversifikojë burimet energjetike dhe të ulë varësinë nga importi, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm.

Mungesa e investimeve në kapacitete të reja energjetike ndër vite ka rritur kostot për biznese dhe qytetarë, duke ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e ekonomisë. Gazi natyror konsiderohet një alternativë strategjike për rritjen e sigurisë energjetike dhe stabilitetit të sistemit.

Përfshirja e Kosovës në rrjetin rajonal të gazit, përmes lidhjes me terminalin LNG të Alexandroupolis dhe interkonektorit SKOPRI, si dhe ndërlidhja me terminalin e planifikuar në Vlorë përmes projektit ALKOGAP, janë thelbësore për diversifikimin e burimeve. OEK dhe Riinvest i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës të angazhohet me prioritet për ndërtimin e infrastrukturës së gazsjellësit nga Hani i Elezit, duke e përdorur gazin natyror për prodhimin e energjisë elektrike, industrinë dhe ngrohjen. Ata kërkojnë rishikimin e Strategjisë së Energjisë për të përfshirë zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe mundësinë e gazifikimit të linjitit.

Gjithashtu, rekomandohet përshpejtimi i zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe thellimi i bashkëpunimit energjetik me Shqipërinë për optimizimin e sistemeve dhe investime të përbashkëta.