Autoritetet shëndetësore rekomandojnë kujdes të shtuar ndaj konsumit të vezëve të pagatuara për shkak të rrezikut të infeksionit me salmonella. Gjasat për t'u prekur nga ky infeksion janë të larta pas ngrënies së vezëve të gjalla.

Simptomat e salmonellës, të cilat shfaqen zakonisht 6 deri në 48 orë pas konsumit, përfshijnë të vjella, diarre, marramendje, temperaturë, ethe dhe dhimbje koke. Ky infeksion mund të ketë pasoja të rënda, sidomos për individët me sistem imunitar të dobësuar.

Ekspertët theksojnë se fëmijët, gratë shtatzëna, personat që vuajnë nga kanceri ose sëmundje autoimunitare duhet të shmangin plotësisht vezët e pagatuara. Organizmi i tyre i brishtë është më i ndjeshëm ndaj komplikacioneve.

Përthithja e proteinave nga vezët ndryshon ndjeshëm në varësi të gatimit. Një studim tregon se trupi përthith vetëm 50% të proteinave nga veza e pagatuar, krahasuar me 90% nga ajo e gatuar. Veza e gatuar gjithashtu shmang lidhjen e proteinës me biotinën, duke e bërë këtë të fundit të papërthithshme nëse veza nuk është zier plotësisht.