Bajroviq, ish-polic në Stacionin Policor në Gurrakoc, u ngarkua se më 8 maj 1999, në bashkëpunim me të tjerë, ndaloi një kolonë civilësh shqiptarë që po iknin drejt Shqipërisë. Ai mori 16 burra nga kolona, i dërgoi në një shtëpi ku i rrahën me mjete të forta. Më pas, së bashku me forcat paramilitare, i pushkatuan të 16 civilët shqiptarë, përfshirë një të mbijetuar, i cili u godit me predhë mitralozi në fytyrë dhe u la si i vdekur mes kufomave.
Aktakuza përmend edhe përfshirjen e Bajroviqit në ngjarjet e 7 majit 1999 në fshatin Staradran. Ai mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë. Meshkujt u ndanë nga gratë dhe fëmijët, u grabitën paratë dhe sendet me vlerë, dhe më pas u dërguan në Gurrakoc në lokalin e Sh.S, ku u torturuan. Më 8 maj 1999, të gjithë u transferuan në stacionin policor në Gurrakoc, me Bajroviqin në krye të kolonës.