Vendimi për fillimin e procedurës për dhënien e koncesionit për lëndë të para minerare metalike u nënshkrua nga zëvendëskryeministri Lluço Dimovski më 30 qershor. Hulumtimet do të kryhen në pjesën lindore të vendit, duke përfshirë komuna si Berovë, Vallandovë, Vinicë, Dellçevë, Shtip, Strumicë, dhe Kumanovë, mes të tjerash.
Sipas qeverisë, qëllimi i koncesionit është “zbulimi i lokaliteteve të reja me potencial për hulumtime të mëtejshme të detajuara gjeologjike, si dhe zbulimi i vendburimeve të reja të lëndëve të para minerare metalike”.
Megjithatë, shoqata “Zdrava Kotlina” nga Strumica e vlerëson këtë vendim si një “dekret për ta shndërruar atdheun në një koloni minerare”. Aktivisti mjedisor Stojan Vellkov, kryetar i shoqatës, theksoi se plani përfshin një territor të vogël dhe të dendur me popullsi. Ai kundërshton pretendimin se “vetëm po kërkohet mineral dhe nuk do të hapen miniera”, duke argumentuar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Lëndët e Para Minerare lejojnë koncesionarin të nisë gërmimet në tokë private para përfundimit të procedurës së shpronësimit.
“Zdrava Kotlina” u ka bërë thirrje këshillave komunalë të japin mendim negativ për çdo kërkesë hulumtimi dhe kërkon transparencë të plotë. Organizata paralajmëron një rezistencë të fuqishme qytetare, duke theksuar dëmet afatgjata mjedisore të minierave, përfshirë ndotjen me arsen, kadmium dhe metale të rënda. Më 29 qershor, organizatat ekologjike protestuan kundër koncesioneve për minierën Illovicë–Shtukë.