Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për të alokuar 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit për të financuar një koncert. Ajo e konsideroi këtë një shpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se shuma synon të shpëtojë koncertin nga dështimi, ndërkohë që investime jetike mbeten të varura nga borxhet dhe financimet e huaja.
Deputetja solli në vëmendje se qeveria ka miratuar një VKM dhe relacion buxhetor ku kërkohet votimi i 4.3 milionë eurove për fondet speciale të koncertit. Në relacion, shkruhet se paratë jepen “për të mos dështuar koncerti”, ndërsa pretendohet një efekt shtesë prej 20 milionë eurosh në ekonomi.
Nga ana tjetër, për projektin e hekurudhës Tiranë–Durrës, kontributi i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit është vetëm 1% e financimit të huaj. Tabaku argumentoi se hekurudha lidh kryeqytetin me Durrësin, portin dhe aeroportin, ul trafikun, ndotjen dhe kostot e transportit, duke gjeneruar përfitime ekonomike shumëfish më të mëdha se një aktivitet njëditor. Megjithatë, ajo nuk prodhon spektakël të menjëhershëm ose propagandë, ndaj nuk trajtohet si prioritet.
Tabaku kujtoi se Ministri i Financave premtoi që koncerti nuk do t’i kushtonte buxhetit asnjë lek, por sot buxheti po i jep 4.3 milionë euro. Sipas saj, kjo nuk është rastësi, por funksionim i sistemit socialist. Ajo denoncoi copëzimin e projektit të hekurudhës Tiranë–Durrës në hua dhe kontrata të veçanta, duke e konsideruar këtë praktikë si një mënyrë për të prodhuar borxhe dhe hapësira për klientelizëm, jo për të përfunduar punët.
Deputetja theksoi se pas fasadës së koncertit fshihet realiteti i Shqipërisë, ku informaliteti në tregun e punës mbetet i lartë dhe mijëra qytetarë punojnë të padeklaruar, duke humbur të drejtën për pension dinjitoz. Rreth 54% e pensioneve të pleqërisë janë të pjesshme, pasi qytetarët nuk plotësojnë vitet e nevojshme të sigurimit. Ky sistem, sipas Tabakut, gjen miliona euro për një koncert, por nuk shpëton pensionistin apo nuk formalizon punën.
Në përfundim, Tabaku akuzoi qeverinë se ka ndërtuar një ekonomi ku puna dhe prodhimi janë zhvlerësuar, ndërsa pasuria dhe fondet publike përqendrohen tek një pakicë e lidhur me pushtetin. Ajo theksoi se bujqësia është në rënie, produktiviteti i dobësuar, paraja e pistë ka deformuar tregun, dhe prokurimet publike janë kthyer në burse qokash. Për deputeten, kjo çështje është dëshmi e një modeli qeverisjeje që financon fasadën dhe braktis ekonominë reale, duke prodhuar borxh për qytetarët dhe privilegje për pakicën.