AKK thekson se kjo shumë shtohet krahas kostove të Kontratës Kolektive, reduktimit të Grantit të Performancës dhe rreth 60 milionë eurove të humbura nga vendimet gjyqësore e procedurat përmbarimore vetëm këtë vit. Asociacioni paralajmëron se detyrimi i komunave për të mbajtur mësimdhënësit e pafinancuar do të shkurtojë investimet kapitale, subvencionet dhe shpenzimet për mallra e shërbime.

Një situatë e tillë do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin lokal dhe cilësinë e shërbimeve publike. AKK vlerëson se reduktimi mekanik i numrit të mësimdhënësve nuk është i mundur, pasi klasat rurale me pak nxënës duhet të kenë mësimdhënës për të gjitha lëndët, sipas detyrimeve ligjore. Ky proces kërkon analiza të detajuara, konsultime dhe një periudhë tranzitore.

Asociacioni njoftoi se komunat dhe vetë AKK nuk janë konsultuar paraprakisht për këtë ndryshim. Me këtë qasje, komunat rrezikojnë të shndërrohen vetëm në institucione administrative, duke menaxhuar paga e obligime financiare dhe humbur mundësinë për zhvillim lokal e përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.