Kjo deklaratë vjen si reagim ndaj pretendimeve të këshilltarëve të opozitës për mungesë të një komisioni pas reshjeve të fundit. Komuna thekson se ky komision ishte themeluar paraprakisht për të siguruar gatishmëri dhe reagim të shpejtë.

Pas reshjeve të dendura, ekipet komunale, Shtabi i Krizave dhe institucionet publike kanë ndërhyrë menjëherë në terren. Paralelisht, ka nisur evidentimi i dëmeve, ndërsa komisioni do të vazhdojë procedurat e vlerësimit dhe përpunimit të tyre sipas metodologjisë ligjore.

Komuna e Çairit e konsideron të pabazuar kërkesën e opozitës për formimin e komisionit, pasi ai tashmë ekziston dhe është miratuar nga vetë Këshilli Komunal, përfshirë edhe këshilltarët e opozitës. Komuna rithekson angazhimin për trajtimin e rasteve me seriozitet dhe transparencë, ndërsa kompensimi do të bëhet sipas procedurave ligjore. Ajo u bën thirrje subjekteve politike për informim të saktë dhe konstruktiv.