Hapja e grupkapitullit, e cila parashikohet të ndodhë në korrik 2026, mbështetet nga Komisioni Evropian. Ky institucion ka përgatitur një dokument informues për ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ku theksohet se Serbia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fusha si reforma e sistemit gjyqësor, liria e medias, kuadri zgjedhor dhe bashkëpunimi në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Grupi 3 i negociatave ishte bllokuar që nga viti 2021. Shqetësimet kryesore ishin sundimi i ligjit, liria e medias, harmonizimi i politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Komisioni thekson se Serbia ka shfuqizuar ndryshimet e diskutueshme në ligjet për drejtësinë. Megjithatë, dokumenti nënvizon nevojën për reforma të mëtejshme, sidomos në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Për sa i përket politikës së jashtme, pavarësisht mosbashkimit të Serbisë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, Komisioni vlerëson bashkëpunimin e saj për parandalimin e shmangies së sanksioneve. Serbia ka ofruar mbështetje për Ukrainën dhe ka intensifikuar kontaktet politike me Kievin.