Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Kodi Zgjedhor nuk do të zbatohet. Ai tha se kjo vjen për shkak të qëndrimeve të papranueshme dhe radikalizimit nga partitë opozitare LSDM dhe Levica, duke i akuzuar ato për bllokim nga frika e humbjes në zgjedhje. Kodi Zgjedhor është pjesë e Agjendës së Reformave të paraqitura në Komisionin Evropian, zbatimi i të cilit sjell fonde prej 4.2 milionë eurosh.

Në takimin e koordinatorëve të grupeve parlamentare, VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk ndryshuan qëndrimet për votimin e diasporës. VMRO-DPMNE kërkon votim elektronik ose me postë. LSDM kundërshton, duke argumentuar se metodat e ndryshme të votimit mund të çojnë në manipulime dhe se votimi me postë pa verifikim të rreptë pengon përcaktimin e identitetit të votuesit dhe mbrojtjen e sekretit të votës.

Levica kërkoi më shumë fonde për fushatën dhe një njësi zgjedhore, duke theksuar se kjo nuk është kërkesë e re dhe se Mickoski vetë e ka mbështetur më parë. Ata theksuan se votimi elektronik i diasporës nuk ka qenë kurrë pjesë e rekomandimeve të ODIHR-it. Afati fillestar për miratimin e Kodit ishte 30 qershori 2025, por qeveria ka marrë qëndrimin se ka një periudhë 'grejs' deri në fund të qershorit 2026. Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti.