Mospajtimet kryesore lidhen me votimin e diasporës, njësinë e vetme zgjedhore dhe financimin e partive të vogla. Ky Kod pritet t'i paraqitet Komisionit Evropian më 15 korrik, si pjesë e raportit për progresin e vendit.
Kryeparlamentari Afrim Gashi mbështet votimin elektronik, duke theksuar rëndësinë e identifikimit dhe fshehtësisë së votës. Ai u bëri thirrje koordinatorëve të grupeve parlamentare të gjejnë kompromis. Nga LSDM paralajmërojnë se propozimet aktuale për votimin e diasporës mund të sjellin keqpërdorime zgjedhore, duke kërkuar garanci shtesë nëse vendoset votimi elektronik. Kjo parti nuk është kundër votimit të diasporës, por kundërshton mënyrat që nuk sigurojnë transparencë dhe siguri.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE pranon votimin me postë nëse kushtet për atë elektronik nuk plotësohen, duke akuzuar LSDM-në dhe të Majtën për bllokim të Kodit Zgjedhor. Zëdhënësi Valentin Manasievski tha se propozimi i VMRO-DPMNE për votim elektronik ose me postë u refuzua nga LSDM. Ai shtoi se bllokada vë në pikëpyetje përmbushjen e obligimeve reformuese.
Partia e Majtë vazhdon të kërkojë një njësi të vetme zgjedhore dhe shfuqizimin e reklamimit politik me pagesë. Kjo parti pretendon se propozimet e saj nuk janë pranuar. Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas, theksoi se miratimi i zgjidhjeve ligjore varet nga konsensusi politik mes partive.
Ndërkohë, Partia Liberal-Demokrate (PLD) denoncoi manipulimet mediatike për tekstin e ndryshimeve, duke kërkuar transparencë të plotë dhe publikimin e të gjitha procesverbaleve e propozimeve.