Komisioni për Sistem Politik ndërpreu seancën më 3 korrik për shkak të volumit të madh të amendamenteve, të cilat duhet të arkivohen dhe përkthehen. Kryetari i Komisionit, Ljupço Prenxhov, deklaroi se vazhdimi i seancës do të njoftohet në kohën e duhur.
Kodi Zgjedhor është një nga dhjetë obligimet prioritare të Agjendës Reformuese, me afatin e parë të vlerësimit në mes të korrikut dhe atë përfundimtar në shtator. Çështja kryesore e mosmarrëveshjes mbetet modeli i votimit të diasporës.
Kryeministri Hristijan Mickoski shprehu gatishmërinë e Qeverisë për dialog dhe kompromis me opozitën. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së diasporës në procesin zgjedhor, duke përmendur modele si votimi elektronik i Estonisë dhe premtoi pranimin e kërkesave të tjera të opozitës.
Ndërkohë, ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, deklaroi se po vërehet një përshpejtim i reformave dhe shpreson që të përmbushen nëntë ose nëntë e gjysmë nga dhjetë hapat prioritarë. Ai e cilësoi ligjin në thelb të mirë dhe theksoi nevojën për konsensus mes partive politike.
LSDM kundërshtoi deklaratat e kryeministrit, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në për tentativë manipulimi zgjedhor përmes keqpërdorimit të votave të diasporës. Sipas LSDM-së, ndryshimet e propozuara parashikohen të zbatohen vetëm nga viti 2029 dhe qëllimi i vërtetë është kompensimi i humbjes së mbështetjes qytetare.