Deputetja e njohur si Neomalësorja, Marjana Koçeku, deklaroi se i qëndron mesazhit të saj të fortë ndaj familjes Bajri, postuar në rrjetet sociale më 17 qershor 2023. Ajo e cilësoi mesazhin si të bazuar mbi fakte të forta dhe shprehu se nuk ka asnjë shqetësim nga kallëzimi penal i bërë në SPAK nga avokatët e familjes Bajri.

Koçeku theksoi se e ka dhënë mesazhin publikisht dhe se aty përmbahet gjithçka që ajo dëshiron të thotë. Ajo shtoi se lufta e saj është tërësisht politike dhe do të mbetet e tillë deri në fund, duke u fokusuar tek çështjet politike dhe jo tek individë apo familje të veçanta. Deputetja u shpreh se mbështet çdo veprimtari të institucioneve të drejtësisë që luftojnë për të mirën publike.

Mesazhi i Koçekut drejtuar Bajrajve të Shkodrës përmbante kërcënimin: “Nëse familjes teme i preket qoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”. Ky mesazh u bë publik pasi ajo u largua nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe vepron si deputete e pavarur.