Marjana Koçeku, deputete e pavarur, ka ndarë në rrjetet sociale intervistën e saj për prestigjozen "Financial Times". Ajo ka deklaruar se "lufta e brezit tim nuk është të kërkojë një vend për të jetuar, por të shndërrojmë Shqipërinë në të jetueshme", duke nënkuptuar vështirësitë që ka krijuar qeverisja aktuale.

Sipas Koçekut, ndërsa prindërit i rritën fëmijët me idenë se lumturia gjendej përtej kufijve, protestat e fundit tregojnë se shqiptarët po e shohin tokën e tyre si një vend ku mund të jetojnë. Kjo histori, siç shprehet ajo, është edhe personale.

Artikulli i “Financial Times” i dedikuar Koçekut përmend ndalimin e punimeve në Zvërnec pas shpërthimit të protestave. Gardhi i ri ishte hequr dhe kamionët apo punëtorët e ndërtimit nuk ishin të dukshëm. Parlamenti Europian, në mes të qershorit, bëri thirrje për një moratorium mbi të gjitha punimet dhe lejet e reja të ndërtimit në zonat e mbrojtura dhe kërkoi shfuqizimin e amendamentit “me pesë yje”.

Koçeku, një ligjvënëse 25-vjeçare, theksoi se protestat pasqyrojnë një ndryshim në mënyrën se si të rinjtë shqiptarë e shohin vendin e tyre. Pas emigracionit masiv të viteve ’90, fluksi po ngadalësohet dhe shumë anëtarë të diasporës janë kthyer për demonstrata.

Jeta e Koçekut reflekton këtë ndryshim. E rritur në një fshat malor, ajo studioi në Itali, por u kthye në Shqipëri për të zhvilluar një projekt turizmi të qëndrueshëm, para se të hynte në politikë. Muajin e kaluar, ajo u largua nga partia qeverisëse për shkak të projektit të vijës bregdetare të Zvërnecit, duke u bërë deputetja e vetme e pavarur. Pas kësaj, ajo ka marrë kërcënime.

Shqipëria është përfshirë prej më shumë se një muaji nga protesta masive antiqeveritare, të cilat nisën pas dhunës ndaj një qytetari në Zvërnec. Këto protesta vijojnë çdo ditë para Kryeministrisë.