Fatmir Xhafaj e vlerësoi KLP-në si hallkën më të dobët të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, pavarësisht disa përmirësimeve. Ai theksoi se institucioni nuk ka përmbushur pritshmëritë e reformës në drejtësi dhe BE-së, si dhe ka gjeneruar vendimmarrje të diskutueshme.
Një nga pikat kryesore të përplasjes ishte numri i kufizuar i prokurorëve të kërkuar nga KLP-ja prej Shkollës së Magjistraturës, ndërkohë që sistemi ka mbi 100 vende të lira. Xhafaj pyeti Bogdanin përse u kërkuan vetëm 12 prokurorë vitin e kaluar, duke lënë kaq shumë vakanca të paplotësuara. Bogdani u përgjigj se vendimi ishte ndikuar nga cilësia e kandidatëve të disponueshëm.
Debati përfshiu edhe rekrutimin e stafit mbështetës. Xhafaj ngriti shqetësime për punësime të cilat, sipas tij, bëhen për "qoka", duke akuzuar se KLP-ja është kthyer në vend ku punësohen fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve. Bogdani sqaroi se trajnimet mbulohen nga struktura publike dhe partnerë të jashtëm, jo si privilegje individuale.
U diskutua gjithashtu emërimi i drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të cilin Bogdani tha se procesi është në fazat fillestare. Ajo kërkoi ndjesë për tonet e ashpra të debateve të brendshme në KLP, duke theksuar nevojën për rregulla të reja etike.